Olsi LEKA

cellist

[Press article] Tirana AL

“Nga majat e skenave europiane te sakrifica dhe arritjet”, rrëfehet artisti i madh Olsi LEKA: Krenaria ime për Shqipërine dhe burimi i frymëzimit.

Nga Fernada Cenko për TEMA online aktualitet,

Kur flitet për muzikën ndërkombëtare, muzikën që pushton skenat më të mëdha botërore që rrëmben dashurinë e miliona dashamirësve, menjëherë mendja të shkon tek shqiptarët tanë që na e bëjnë zemrën mal nëpër eventet më historike në botë. Një nga këta personazhe për të cilën nuk mund të mos flasësh është Olsi Leka. Në një intervistë për gazetën “Tema” , ai rrëfen vitet e tij të para, kur pranoi të bënte një shkollë muzike e të studionte për violonçel. Jo se kjo ishte ëndërra e tij, por sepse të atit i pat mbetur peng që nuk arriti dot të studionte vetë për muzikë.Talenti që kishte ai për të luajtur në violonçel nuk ishte dhe aq rrobë e zakonshme, pasi Olsi ka kapur majat me punën dhe këmbënguljen që e shfaqi që i vogël. Por për fatin tonë të keq Olsi Leka nuk e pa të ardhmen e tij në Shqipëri. Vendi ku lindi nuk i mungon, pasi në 20 vite jetese ku Brukseli i dha ‘gjithçka’ ai e konsideron këtë të fundit si shtëpi. Por ai na rrëfen se lidhjet e tij me Shqipërinë nuk i ka shkëputur dhe se gjithmonë në koncertet ku ai luan, pasi publiku njihet me origjinën e tij, gjithmonë takon njerëz kuriozë që duan të dinë më shumë rreth vendit tonë.

Në çfarë moshe keni filluar të studioni Violonçelin dhe si ju zbuluan si talent?

Kur mbusha 6 vjeç u paraqita në konkursin e hyrjes ne ish- shkollen “23 Nentori” ku bëhej seleksionimi i kandidatëve. Pas një testi të thjeshtë juria mendoi se ishte më e përshtatshme për mua të hyja në klasën e violonçelit (e jo të violinës siç dëshiroja unë). Ishte dëshira e babait tim që unë të mësoja një instrument muzike dhe ishte ai qe u bë shtysë që unë të filloja muzikën që në klasën e parë fillore. Kish qenë endrra e tij që në rini të vazhdonte studimet për muzikë por duke qenë se në vitet 70, muzika nuk shihej si profesion serioz ai u detyrua të vazhdonte universitetin për Gjeofizikë. Pra në një formë, ëndrra e tij u realizua nëpërmjet meje. Keni prekur majat botërore me suksesin tuaj në muzikë.

Na tregoni pak si po e shijoni këtë sukses?

Kënaqësia e artistit është që të arrijë të bëjë atë që do nga ana artistike , të zhvillojë projektet dhe idetë e tija duke prekur një numër të gjerë artdashësish. Në këtë sens, ndihem i privilegjuar, megjithëse asgjë nuk vjen pa lodhje, mund e punë pafund. Konkretisht, në këto 10 vitet e fundit, kam patur kënaqësinë të luaj në sallat më prestigjioze Europiane si p.sh “Palais des beaux arts” në Bruksel, në “Philharmonie de Paris”, “Elbfilharmoni “ në Hambourg “Koncertgebouw” në Amsterdam etj, të jap masterklase e stazhe për studentë në shumë konservatorë Evropianë. Rregjistrimi i CD-ve po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishem në aktivitetet e mia artistike. Në muajin mars do të kem kënaqësinë të prezantohem për herë të parë në Republikën e Kinës me një turne prej 13 recitalesh violonçel e piano, në sallat më prestigjoze të vendit. Është qejf të arrish në pikën ku të bëhet e mundur të bashkëpunosh me kolegë artistë të një niveli të lartë si muzikor ashtu edhe intelektual. Kjo gjë të krijon një satisfaksion të pafund.

Sa festivale keni bërë gjatë karrierës suaj si artist?

Është vështirë të jap shifra preçize pasi nuk i kam numëruar kurrë aktivitet ku kam luajtur. Rëndësia është tek cilësia e tyre më teper se tek sasia e tyre. Sidoqifte, festivalet me kanë çuar ne Francë, Gjermani, Hollandë, Itali, Luxemburg, Zvicër, Slloveni, Austri, Kroaci , Norvegji, Suedi, Lichtenstein etj.

Kush ka qenë shembulli apo artisti që keni ndjekur në botën e artit?

Shembujt që të stimulojnë gjatë karrierës së artistit janë të shumtë e për më tepër ata ndryshojnë në vite. Nuk mund të them se shembujt që kam ndjekur kanë qenë vetëm ata të muzikantëve apo të violonçelistëve të famshëm. Influenca dhe shtytja vijnë edhe nga artet e disiplinat paralele si p.sh artet figurative (pikture, skulpturë etj) apo vizita të koleksioneve apo muzeumeve të ndryshme. Ajo që më tërheq pa masë këto kohet e fundit është arti në vitet 1900 në France. Piktorë e artistë me vizion modern si Pablo Picasso, Amadeo Modigliani, Edouard Manet, Claude Monet, Camille Claudel e Auguste Rodin apo kompozitorë si Claude Debussy, Maurice Ravel (pa përmendur plot të tjerë) të japin çelësat e një bote imagjinare shumë prekëse.

Çfarë do të thotë për ju të jesh shqiptar? Sa të ka ndihmuar të formoni atë që jeni sot?

Nuk di nëse mund ta përkufizoj te qënit shqiptar por për mendimin tim, nënkupton të qënit evropian të një natyre lindore (Ballkanik me influencë të theksuar Otomane). Historia e Shqipërisë është e ngarkuar me shkëmbime e konflikte të shpeshta me shtetet fqinjë. Si e tillë Shqipëria ka qenë në përplasje të shpeshtë me kulturat rreth saj. Kjo ka sjellë integrimin apo huazimin e elementëve të huaj në kutlurën shqiptare. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se të qenit shqiptar të jep një afërsi natyrore me një numër të gjerë kuturash pa patur nevojë për tu sforcuar shumë në adaptim. Jam ndjerë gjithmonë mirë dhe jam i bindur se ne shqiptarët, i kuptojmë mirë kodet e vendeve ku jetojmë. Kjo na ndihmon të ecim e të integrohemi në menyrë perfekte atje ku jemi.

Lidhja që ke me Shqiprinë?

Lidhja që unë kam me Shqiprinë është minimale. Përveç rikthimit në familje e pak turizëm kurioziteti nuk mund të them se kam lidhje tjetër. Ka vite që jam larguar prej jetës artistike shqiptare. Mungesa e projekteve si dhe e një skene te organizuar në vend ka bërë që të mos kem asnjë lidhje profesionale me të. Nganjëherë më vjen keq për këtë gjë pasi rrënjet e mia janë në Shqipri. Atje kam marrë bazën e edukimit si dhe temperamentin aktiv që ne na karakterizon. Por nga ana tjetër më duket e veshtirë të rikthehem ne Shqipëri (për aktivitete profesionale) e të përplasem me realitetin shqiptar i cili është shumë larg atij të pjesës dërmuese të vendeve europiane sot.

A vini shpesh në Shqipëri?

Po, rregullisht një ose dy herë në vit.

Nga buron frymëzimi juaj?

Frymëzimi buron nga pasioni e nga dashuria që ushqej për muziken. Është një botë pafund kur çdo ditë zbuloj gjëra të reja prekëse… Frymëzimi nuk është gjithmonë i pranishëm, por është i nevojshëm në momente kyçe të aktivitetit artistik.

Çfarë vendi zë në shprehjen tuaj artistike origjina juaj shqiptare ?

Origjina është kallëpi ku jemi derdhur, tingujt me të cilët jemi rritur në Shqipëri, këngët, peizazhet, tradita artistike etj. Ajo nuk ka lidhje të drejtpëdrejtë me repertorin “klasik” që unë interpretoj në pjesën më të madhe të kohës. Ky repertor përbëhet nga kompozitorë europianë perëndimorë ku estetika dhe “gjuha” që përdoret në të ështe i një natyre tjeter. Ai studiohet e kuptohet gjatë studimeve apo reflektimit. Sidoqoftë origjina , për mendimin tim, është një plus që të jep një ndjeshmëri tjetër ne artin “klasik” e që i bën artistët të veçantë. Është si puna e një xhami me ngjyrë që ndryshon perceptimin e botës kur sheh permes tij.

Kur u prezantoheni se jeni me origjinë shqiptare , shfaq kuriozitet publiku ndërkombëtar, për muzikën përshembull ?

Po, shumë shpesh artdashësit me drejtohen pas koncerteve me pyetjen se çfarë kompozitorësh kemi në Shqipëri. Pyesin se si tingëllon muzika jonë etj. Pra ka një kuriozitet në rritje në lidhje me muzikën “klasike” shqiptare në veçanti, por edhe për artin në pergjithësi. Për këte arsye unë kam nisur në bashkëpunim me një koleg e mik pianist, Desar Sulejmani, një projekt për rregjistrimin e një (ose disa) CD me vepra shqiptare. Ne këtë forme mund ti ofrojme publikut të gjerë një prezantim të artit tonë.

Keni pasur mbështetje nga Shqipëria në karrierën që keni formuar?

Jo aspak.

Si nis dhe si mbyllet një ditë prej artisti?

Shpesh, nis dita herët në mëngjes, me pregatitje , me udhëtime, prova e orare të çrregullta, me takime të papritura herë të mërzitshme herë pasionuese. Me koncerte e eksperienca gjithnjë të veçanta. Me momente festive por edhe me lodhje. Një gjë është e sigurtë: Kurrë dy ditë nuk janë njëlloj.

Çfarë të ka mbetur në mendje nga vendi juaj?

Ajo që më ka mbetur në mendje nga vendi im (Shqipëria) është diçka që fatkeqësisht nuk e gjej më kur kthehem sot: Shoqëria që kishim midis nesh, e pastër dhe e patundshme. Miqësia dhe mbështetja që i jepnim njëri-tjetrit. Ndarja e gjithçkaje që kishim ,sadopak që ajo të ishte. Çiltersia dhe humori qe kishim midis shokesh.

Keni pasur ftesa që i keni refuzuar?

Patjeter, ftesa që i refuzoj ka, për arsye nga më të ndryshmet. Mendoj se në një moment të caktuar në jetën e tij, njeriu duhet të gjejë ekuilibrin midis asaj që duhet të bëjë e asaj që dëshiron të bëjë. Sa iu mungon Shqipëria? Nuk ndjej mungesë për Shqipërinë si vend. Kam ndjerë mungesën e jetës që lashë në Shqipëri kur u largova në moshën 19 vjeçare. Pra mungesën e shoqerisë, familjes si dhe të aktiviteteve që lashë. Pas 20 vjetesh jetë në Bruksel, gjithçka për mua është këtu. Shpesh kur zbres në aeroportin e Brukselit kam atë ndjenjën e qetësisë që karakterizon kthimin ne “strofkull” dhe them me vete “arrita në shtëpi”!

I identifikoni në koncertet tuaj shqiptarët?

Herë pas here ndodh që në publik të ketë artdashës shqiptarë të pranishëm. Vijnë ose rastësisht ose sepse kanë degjuar për një artist shqiptar që luan. Shpesh i takoj pas koncerteve dhe me disa prej tyre mbaj edhe kontakt miqësor. Është e çuditshme të mendosh se sa shqiptarë të suksesshëm ka, në fusha nga më të ndryshmet e në të gjitha vendet ku kam qenë. Është gjithnjë surprizë e këndshme të bisedosh me njerëz që nuk i njeh por që diçka e padukshme të lidh fort, prejardhja dhe gjuha e nënes!

Next Post

Previous Post

© 2023 Olsi LEKA

Theme by Anders Norén